Skandal/ Zhduket kontrata origjinale e Sterilizimit, SPAK: Nuk gjendet në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë

Kontrata e koncensionit të sterilizimit që po hetohet nga SPAK është zhdukur dhe nuk ndodhet në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gazetarja e Balkanweb, Klodiana Lala, raporton se Ministria e Shëndetësisë nuk gjen dot kontratën origjinale të sterilizimit.

SPAK më herët kishte marrë vendimin për sekuestrimin e praktikës së plotë dokumentare origjinale të procedurës së koncesionit të sterilizimit por janë gjendur përpara një situate të papritur.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse.

Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020”, thuhet në dosje.