Publikohet në Fletoren Zyrtare ligji për legalizimin e kanabisit mjekësor!

Duke filluar nga dita e sotme ka hyrë në fuqi ligji për kultivimin e kanasitit për qëllime mjekësore dhe industriale. Pasi presidenti Bajram Begaj, kaloi në heshtje këtë ligj, ditën e sotme është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ligji për legalizimin e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore u miratua në seancën e fundit të parlamentit mesnatën e 21 korrikut, pavarësisht kundërshtimeve nga opozita.

Sa i takon kushteve të licencimit, ligji parashikon se çdo person juridik që kërkon të pajiset me licencë, duhet të përmbushë kushtet për çdo aktivitet të kërkuar për licencim, konkretisht:

– Të ketë eksperiencë 3-vjeçare në të paktën TRE nga aktivitetet kryesore, si prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe subjekti ose një aksionar i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vite, zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, për të paktën 3 vite dhe të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100,000,000 (njëqind milionë) lekë;

– Personi juridik që paraqet kërkesë për licencë për prodhimin e cannabis-it mjekësor pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por, në çdo rast, jo më pak se kundërvlefta në monedhën kombëtare lekë e shumës jo më pak se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;

– Projektligji parashikon se licenca mund të jepet për një ose disa veprimtari, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, me kërkesë për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia. Licenca do të jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme.

Këto janë disa nga kriteret kryesore për pajisjen me licencë të subjekteve që do të shprehin interes të kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore dhe industriale. Në dukje, ajo pamundëson marrjen e licencave nga eksponentë të krimit, pasi kërkuesi duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vite.

Gjithashtu, kompania që do kërkojë të zhvillojë këtë aktivitet në Shqipëri, duhet të jetë zotëruese e praktikave të mira të prodhimit të lëshuara nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, për të paktën 3 vite dhe të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100,000,000 (njëqind milionë) lekë të reja.

Nisur nga këto të dhëna dhe të tjera të parashikuara në projektligjin e mbërritur në Kuvend, nëse ligji do të zbatohet me përpikmëri, asnjë kompani shqiptare e jo më individë apo trafikantë nuk do të mund të marrin dot licenca për ushtrimin e veprimtarisë së kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Në Shqipëri, nuk ka një kompani që të ushtrojë këtë aktivitet e aq më tepër të ketë të paktën tre vite veprimtari në fushën e kultivimit apo përpunimit të kanabisit. Sipas Relacionit shoqërues të projektligjit, Qeveria shqiptare përmend si indicje dhe rezultatet e Këshillimit Kombëtar.

Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve e të kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.

Megjithatë, ligji parashikon dhe masa të menjëhershme për shfuqizimin e licensës në rast se prodhuesi shkel ligjin. Referuar dokumentit, Ministri përgjegjës për Shëndetësinë vendos për shfuqizimin e licencës nëse subjekti:

shkel në mënyrë të përsëritur kushtet e licencës;
shkel në mënyrë të përsëritur legjislacionin në fuqi për ushtrimin e aktiviteteve, për të cilat është licencuar;
kërkon shfuqizimin e licencës;
nuk fillon zhvillimin e aktivitetit brenda një afati prej 12 muajsh nga miratimi i licencës;
e ka marrë licencën nëpërmjet mashtrimit;
deklarohet i falimentuar dhe nuk është i aftë të kryejë detyrimet, sipas kushteve të kësaj licence;
me mbarimin e personit juridik, mbajtës i licencës