“Kusht për fqinjësi të mirë është njohja reciproke”, Kurti nga Athina, sot takim “kokë më kokë” me Mitsotakisin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte një nga të ftuarit e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitstotakis. Ai mori pjesë në darkën e shtruar nga homologu grek ku dhe tha se se gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet t’i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë.

“Aty u diskutua rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën, me ç’rast u theksua mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitet dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë tjera mbi civilët. Në këtë darkë që korrespondon edhe me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rruga përpara. U diskutua edhe për çështjet rajonale.

Në intervenimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, theksoi Kryeministri”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Gjithashtu, kryeministri i Kosovës ka thenë se kusht për fqinjësi të mirë është njohja reciproke, de-jure e de-facto.

Ndërkohë, burime për mediet bëjnë me dije se ditën e sotme Kurti do të zhvillojë një takim “kokë më kokë” me Mitstotakisin. Takimi me Kurtin është paralajmëruar të ndodhë në orën 10:45

Në darkën e shtruar në Athinë morën pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyene, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ai i Rumanisë, Marcel Ciolacu, ai i Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.