Kadastra bllokon edhe bankat, Brumbulli: Nuk japim dot kredi për shkak të vonesave të gjata për aplikimet, ka një indiferentizëm nga ana e kadastrës

Pas noterëve edhe sistemi bankar shprehet i shqetësuar se Agjencia Kombëtare e Kadastrës ka bllokuar kredidhënien. Sipas të dhënave gjatë muajit korrik, bankat nuk kanë mundur të miratojnë kredi të reja. Sipas Spiro Brumbulli, sekretar nga shoqata e bankave shkak është bërë mos kthimi i përgjigjeve nga kadastra për aplikimet që qytetarët bëjnë për pronat që kërkojnë t’i vendosin si garanci për huadhënien.

“Në praktikë është vërejtur një bllokim jo tërësor, pasi procedurat e shpejta dhe me kosto më të lartë kanë funksionuar. Por eficenca është kaq e ulët sa 1 në 5 aplikime merr përgjigje. Kjo na shqetëson dhe na kanë vënë në vështirësi ne si sistem bankar. Të gjitha aplikimet e reja të korrikut por dhe ato të mbartura nga qershori për kredi me kolateral nuk ka marrë udhë, pasi pronat as bllokohen as regjistrohen, duke krijuar ngërç për ne”, shprehet Spiro Brumbulli, Sekretar i Shoqatës së Bankave.

Por, sipas tij kthimi i përgjigjeve në kohë nga ana e kadastrës ka një dëm të konsiderueshëm jo vetëm për bankat, por për ekonominë në tërësi. Në një muaj sistemi bankar mesatarisht jep kredi të re 18-22 miliard lekë. “Bankat kredidhënien e kanë fokus kryesor të punës së tyre. Kjo do të thotë se ne në një muaj nuk i kemi dhënë ekonomisë 18 miliard lekë, duke përjashtuar ato kredi konsumatore të cilat nuk kanë nevojë për kolateral.

Pjesa dërrmuese e huadhënies jepet me garanci ndaj dhe për ne komunikimi me kadastrës është i rëndësishëm”, vijon më tej Brumbulli. Po ashtu, ai theksoi se noterët por dhe bankat ankohen për indiferentizmin që po tregon institucioni i kadastrës përballë kësaj situate.“Ka një indiferentizëm nga ana e kadastrës. Pavarësisht një komunikimi që ne kemi pasur, duke i shprehur shqetësimin e tonë, ajo që vërejmë është se nuk ka një përgjigje prej tyre. Pra ne duam të dimë sa do të zgjasë kjo situatë, kur do të marrin udhë aplikimet, cilat do të jenë afatet e reja të shqyrtimit të aplikimeve?”, nënvizoi Brumbulli.