‘Faleminderit Shqipëri’! Refuzoi ndihmën dhe pastaj e pranoi, Mitsotakis përshëndet Shqipërinë për zjarrfikësit shqiptarë

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në postimet e tij në Twitter, ka dërguar mesazhe falënderimi ndaj forcave aleate që siguruan dhjetëra zjarrfikës dhe pajisje për zjarret që shkrumbuan pyjet gjatë ditëve të fundit në Greqi.

Kryeministri thekson se “ndërsa Greqia lufton me zjarret në pyje, zjarrfikësit, pilotët, policët dhe gratë po punojnë pa u lodhur për të mbrojtur jetët, pronat dhe pyjet tona. Ata nuk janë vetëm. Pranë tyre qëndrojnë partnerët dhe aleatët. I falenderojmë për ndihmën e tyre”.

Fillimisht ai i referohet Qipros dhe presidentit Nikos Christodoulidis: “Në emër të të gjithëve, një falenderim i madh Qipros për ndihmën e saj në përpjekjen për shuarjen e zjarreve në Greqi, me dërgimin e dy avionëve, të cilët operojnë në Aleksandropoli. Ju keni mirënjohjen tonë”.

Ai vazhdon me Rumaninë dhe Presidentin Klaus Iohannis: “Ne i jemi mirënjohës Rumanisë që dërgoi 12 automjete dhe 56 zjarrfikës që po vepronin në Aleksandropolis, dhe iu bashkuan burrave dhe grave tona në terren. Një falenderim i madh për Rumaninë”.

Më pas ai shkruan për Republikën Çeke dhe kryeministrin Petr Fiala: “Ne i jemi mirënjohës Republikës Çeke, e cila tani po lufton zjarrin në Aleksandropoli dhe do të dërgojë një helikopter zjarrfikës që do të operojë në Athinë. Faleminderit Republika Çeke”.

Për Kroacinë dhe kryeministrin Andrej Plenkoviç, ai shkruan: “Falenderimet tona shkojnë për Kroacinë që dërgoi një Canadair në Greqi, për t’iu bashkuar flotës sonë. Kroacia ka mirënjohjen tonë”.

Me rastin e kontributit të Gjermanisë, Mitsotakis shkruan duke “taguar” kancelarin Soltz: “ I jemi mirënjohës Gjermanisë që dërgoi dy avionë, të cilët operojnë në Athinë dhe bëjnë një ndryshim të madh. Gjermani, faleminderit për ndihmën tuaj”.

Ai falenderon Suedinë “për dërgimin e dy avionëve, duke forcuar flotën tonë ndërsa luftojmë zjarret në Athinë”. Suedi, ne jemi shumë mirënjohës për kontributin tuaj”.

Së fundi, ai falenderon Shqipërinë duke iu referuar kryeministrit Edi Rama: “Falenderimet tona shkojnë për Shqipërinë për dërgimin e 48 zjarrfikësve dhe 9 automjeteve, që na u bashkuan teksa po luftojmë zjarret në Aleksandropolis. Faleminderit Shqipëri”.