SHBA-BE në alarm nga vjedhja e sistemit TIMS, ultimatum qeverisë: Mbroni të dhënat e shqiptarëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një tjetër goditje të fortë qeverisë shqiptare sa i takon skandalit me sistemin TIMS. Ishte i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, H. Martin McDowell, ai i cili pak ditë më parë i shkoi në zyrë Taulant Ballës dhe zbuloi skandalin se janë vjedhur të dhënat e sistemit TIMS. Më pas ashtu rezultoi. Të dhënat janë grabitur dhe kjo ka alarmuar amerikanët.

Diplomati kërkoi që të hetohet rasti, ndërsa dje ka ardhur një tjetër mesazh. I ngarkuarit tjetër me punë, David Wisner është takuar me ambasadoren e BE në vendin tonë, Christiane Hohmann dhe në bisedën mes tyre është folur mbi skandalin në fjalë dhe se si të dhënat e qytetarëve shqiptarë po vidhen. Wisner dhe diplomatja e BE kanë kërkuar nga autoritet të mbrojnë këto të dhëna. Po ashtu, siç raporton “Pamfleti”,

ai ka thënë se reforma në drejtësi dhe instalimi i shtetit ligjor vijojnë të mbeten prioritet për SHBA. “I ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA, David Wisner, u takua me ambasadoren e BE-së, Christiane Hohmann, për të pohuar bashkëpunimin e ngushtë në mbështetje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në fushat e reformës në drejtësi dhe sundimit të ligjit. Ata diskutuan gjithashtu mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në të gjithë sektorët,

si dhe nevojën për përshpejtimin e reformave në Shqipëri”, njoftoi dje ambasada. Kujtojmë se vjedhja e sistemit TIMS u denoncua nga një drejtues policie, i cili dërgoi një e mail për mediat. Sipas tij, të dhënat u morën nga drejtori i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit, Ervin Muça, që më pas u pezullua nga puna. Ai eksportoi të gjithë bazën e të dhënave të TIMS në një hard disk të jashtëm. Ervin Muça, për të kryer këtë akt dyshohet ka përdorur punonjës të dy kompanive private të IT Soft & Solution të Ermal Beqirit, dhe kompaninë “Horizon”, të cilët kishin shkuar gjatë orarit të pasdites pranë laboratorit të DTI-së, në rrugën “Mine Peza” dhe kishin kryer eksportin e të dhënave. Pamfleti