Vdekja e 17-vjeçarit në lokalin në Sarandë pas rrëzimit të ashensorit, ISHMT jep detaje mbi ngjarjen e rëndë

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar pas vdekjes së 17-vjeçarit që punonte si kamarier në një lokal në Sarandë.

ISHMT përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se aksidenti i ndodhur në lokalin ‘Orange’ nuk ka ardhur si pasojë e defektit në ashensor por një pajisje e përshtatur për transport mallrash nga biznesi.

Njoftimi i plotë:

Sqarim

Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se:

Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor.

Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij.

ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut.