Mitsotakis nuk e ftoi, Rama: Nuk e marr personale por të isha në vendin e tij…

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me vendimin e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të mos e ftuar në mbledhjen me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kreu i qeverisë tha se nuk e merr personale e se të ishte në vendin e tij nuk do të bënte të njëjtën gjë.

Gazetari: U ndjetë i fyer personalisht që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk ju ftoi në darkën joformale të Athinës me liderët e Ballkanit Perëndimor?

‘Në radhë të parë, kam mësuar në jetën time se nuk është gjë e mirë të ndjehesh i fyer personalisht. Asnjëherë nuk marr asgjë personalisht. Thjesht, nuk do veproja njësoj. Besoj se arsyeja e takimit dhe inisiativa që mori Kyriakos janë shumë të rëndësishme. Besoj se nuk duhet që kjo inisiativë e rëndësishme të ishte lidhur me një qëllim tjetër, domethënë të dërgohet një mesazh tek unë, Shqipërisë, për këtë çështje, sado rëndësi t’i japë Greqia. Mendoj se sidomos kur ndodhin ngjarje të pakëndshme mes miqve, miqtë duhet të flasin më tepër me njëri tjetrin, duhet të përpiqen të kuptojnë, të nderojnë miqësinë. Për mua Kyriakos është mik dhe mbetet një mik që vlerësoj dhe respektoj.’- tha Rama.