“Tre skenarë për Belerin”/ Media greke nuk i “ndahen” kandidatit të Himarës: Ka ende shanse të betohet

Fredi Beleri, kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës, po qëndron ende në paraburgim, por çështja e tij ka ngecur ndërsa pasojat diplomatike tashmë janë evidente në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Kërkesa e fundit për lirimin me kusht të Belerit u shqyrtua të hënën e kaluar nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe u rrëzua.

Mediat greke vijojnë ta trajtojnë këtë çështje me vëmendje të madhe, teksa së fundmi kanë analizuar gjithë situatën e kryebashkiakut të zgjedhur.

“Tashmë është evident rreziku që Beleri të humbasë detyrën, ndërkohë që nuk dihet ende nëse do të mund të kandidojë sërish dhe nëse do të shpallen zgjedhje të përsëritura.

Tirana ende nuk ka treguar shenja të synimeve të saj, se kur do të mbahen ose do të vendoset nga qeveria, e cila sipas të njëjtave burime mund të interpretojë ligjin zgjedhor sipas dëshirës së saj.”- thuhet në një artikull të mediave greke, teksa parashtrohen dhe skenarët e mundshëm.

“Skenarët më pozitivë për momentin është, nëse Tirana vendos t’i japë fund kësaj krize, që Belerit t’i jepet një leje administrative, qoftë edhe disa orëshe për të bërë betimin.

Skenari i dytë është që qeveria shqiptare të shpallë zgjedhje në Himarë me Belerin në paraburgim pa qenë i dënuar. Në këtë rast, ai do të ruajë dosjen e pastër kriminale dhe do të mundet të jetë sërish kandidat qoftë edhe nga burgu.

Skenari i tretë është që proçesi i Belerit të vazhdojë menjëherë, para thirrjes për përsëritjen e zgjedhjeve. Nëse shpallet i pafajshëm do të mund të kandidojë sërish për kryetar bashkie, por nëse dënohet ai nuk do të jetë më kandidat.”- thuhet në artikull.

Më tej, mediat shprehen se afati i Belerit për betimin si kryebashkiak skadon në mes të shtatorit, ndryshe nga çfarë deklarojnë autoritetet në vendin tonë, ku Beleri e humbi shansin e fundit për t’u betuar më 14 gusht.

“Beleri po qëndron në paraburgim që prej 12 majit me akuzën e tentativës për blerje votash dhe sipas ligjit zgjedhor shqiptar, nëse një kryetar bashkie nuk betohet brenda tre muajve, ai shpallet i shkarkuar dhe zgjedhjet përsëriten

Sipas burimeve ligjore, ka dallime në mendime se kur skadon saktësisht afati tre mujor, duke qenë se nuk ka asnjë precedent për zbatimin e kësaj dispozite legjislative.

Disa burime ligjore pohojnë se tremujori është llogaritur në bazë të kohës kur është mbledhur këshilli i qytetit të Himarës, afati skadon në mes të shtatorit. Sipas autoriteteve zyrtare të Shqipërisë, afati tre mujor ka skaduar që prej datës 14 gusht.”- thuhet në artikull.