Skandali tek Onkologjiku, reagon Meta: Krim i vërtetë! Babëzia korruptive me koncesionet nuk kurseu as jetën e njerëzve

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ka cilësuar si krim koncesionet korruptive në shëndetësi, që sipas tij, nuk kanë kursyer as jetën e njerëzve.

Në një reagim në Facebook, Meta shprehet se “kjo situatë kaq e rëndë e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit do të thotë që jeta dhe shëndeti i pacientëve të mbetet në mëshirë të fatit dhe pa trajtim mjekësor”.

Kreu i PL-së i ka bërë thirrje drejtësisë të veprojë ndaj përgjegjësve “sepse korrupsioni i tyre ka krijuar dëm pa kthim siç është humbja e jetës dhe dëmtimi i shëndetit”.

Reagimi i Metës

Koncesionet korruptive në shëndetësi privojnë pacientët nga shërbimi shëndetësor në onkologji. Shpërdorimi kolosal i fondeve në shëndetësi me koncesionet korruptive ka krijuar mungesa dhe boshllëqe shumë kritike në shërbime dhe përkujdesje mjekësore ndaj qindra pacientëve të tjerë në shërbimin e onkologjisë.

Është fakt shumë tronditës mostrajtimi i 600 grave paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, si dhe mostrajtimi i 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës.

Kjo situatë kaq e rëndë e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit do të thotë që jeta dhe shëndeti i pacientëve të mbetet në mëshirë të fatit dhe pa trajtim mjekësor. Ky është një krim i vërtetë ndaj jetës dhe shëndetit, dëshmitarë të të cilit janë pacientët e shumtë, por edhe shumë familjarë të tyre.

Babëzia korruptive me koncesionet nuk kurseu pra as jetën e njerëzve. Drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve sepse korrupsioni i tyre ka krijuar dëm pa kthim siç është humbja e jetës dhe dëmtimi i shëndetit.

Kujtojmë se sipas raportit e auditit të KLSH, rezulton se në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), gjë e cila ka shkaktuar mos trajtimin për 600 gra paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, fakt ky që përbën një rrezik për shëndetin e tyre.

Gjithashtu në raport bëhet me dije se mos vendosja në funksion e aparatit të Ortovoltazhit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për mungesë të ambienteve ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve me radioterapi që vuajnë nga tumoret e lëkurës. (Melanoma).