Macron paralajmëroi pezullimin e vizave, Osmani i përgjigjet ultimatumit: Vritet përfundimisht dialogu dhe populli i Kosovës

Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës iu përgjigj ultimatumit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili deklaroi më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politikën e vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Gjatë një ceremonie të mbajtur në Prishtinë për “Ditën e të pagjeturve”, Osmani deklaroi se nëse do të ndërrmerej një hap për pezullimin e vizave të qytetarëve të Kosovës, atëherë do të vritej njëherë e përgjithmonë dialogu Kosovë-Serbi.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Osmani deklaroi gjithahstu se Kosova ka arritur dakordësinë me BE-në për shtensionim të situatës në veri më 10 korrik në Bratisllavë dhe po i përmbahet të gjitha pikave të marrëveshjes.

Ajo theksoi se marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri, hap të cilin Kosova e ka bërë tashmë. Si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri të cilat gjithashtu do të mbahen.

Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator.

Ajo nënvizoi se nga ana tjetër pret nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi janë të padrejta dhe joproporcionale.