“Nuk u kthye më në PS sepse…”/ Ish-ministri socialist rrëfen bisedat me Fatos Nanon, ja momenti më i vështirë për të: Në ’98-n kërkonin ‘kokën’ e tij…

Lideri historik i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministri i vendit Fatos Nano, prej ditësh ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa është nën kujdesin e mjekëve në një spital privat në kryeqytet.

Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, solli në vëmendje disa nga kujtimet që ka në kohën kur qeveriste Nano. Ai evidentoi disa nga momentet më të vështira që Nano kishte kaluar, si kërcënimi me jetë gjatë kohës kur ishte në burg, apo vitin 1998 kur shpërthyen protesta dhe kërkohej ‘koka’ e tij.

Sa i përket medaljes së Mirënjohjes që iu dha nga kryeministri Edi Rama, Malaj tha se ishte e merituar, por e vonuar.

“Është një moment i vështirë për të dhe familjen e tij, por dhe për ata që kanë punuar me të. Besoj se në kulturën e mirënjohjes si komb nuk e kemi të plotë. Veprimi për mirënjohjen e Nanos është i merituar, por ne kujtohemi në momente të vështirë. Është detyrim ndaj tij veprimi që është bërë dje nga kryeministri Edi Ramën. Unë kam mësuar shumë nga mënyra si ai e ndërtonte vizionin e tij dhe arrinte arritje të mëdha edhe në momente të vështira”, tha ai për BW.

Malaj kujton edhe një tjetër moment, kur thotë: “Ne kemi pas një debat në grupin parlamentar kur një pjesë kërkonin arrestimin e Berishës, ndërsa Nano ishte i prerë duke thënë që ‘mos u merrni me vuajtjet e mia, nuk do të bëj të njëjtën gjë që bëri ai me mua dhe Berishën do ta mundim në politikë dhe jo duke e burgosur’”.

“Janë disa tipare të tij si lider… ishte mendjehapur, kishte këmbëngulje për të arritur gjëra. Kishte vendimmarrje që e ndërtonte mirë në debatet që ne kishim në PS. Fillimisht ai ndërtonte kriteret. Një herë e kam parë të mërzitur kur nuk po miratohej qeveri. I kam thënë që ‘gjëra që ndodhin’. Më tha ‘hajde me mua dhe të shikosh ku qëndron problemi… Problemi i Shqipërisë është se çdo individ negocion me një shtetar sikur është një institucion, dhe tani nuk mund të negociohet me 3 milionë shqiptar. Ata që kanë marrë një mandat të vijnë dhe të diskutojnë çfarë duhet bërë më mirë, por jo të mbajnë një qëndrim kaq të prerë’”, rrëfen Malaj.

Po ashtu ai ka komentuar edhe refuzimin e Nanos për t’u arratisur nga burgu, dhe pse i rrezikohej jeta dhe kishte informacion se do të vritej.

“Duhet të vlerësoj që Ngjela ka një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse Nano rrezikohej seriozisht në burg. Nano dërgoi mesazhin që nuk do iki nga burgu nëse nuk marr amnisti. Realisht marrja e Nanos nga burgu për ta çuar drejt shtëpisë është sqaruar shumë mirë nga grupi i RENEA-s, gjendja ishte jashtë kontrollit… ishte një këmbëngulje e tij e panegocieshme për të mos u arratisur. Në këtë rast Bashkim Fino dhe Spartak Ngjela bindën Berishën për amnisti.

Momenti më i vështirë ka qenë shtatori i ’98, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kërkohej ‘koka’ e Nanos, dhe ne vendosëm që duhej të ikte nga selia e kryeministrisë dhe ne do vazhdonim ‘luftën’ aty. Garda kishte rënë, ne kishim merak, dhe këshilla ka qenë të mos ketë të vrarë në protesta popullore, dhe kjo bëri që ata të futen në kryeministri”, tha ai.

I pyetur se si e komentonte Nano qeverisjen aktuale, ai tha: Nano nuk hynte në detaje, pasi ikjes në 2005, nuk ishte në mbikëqyrjen se çfarë ndodh në PS. Bashkëpunonte me të gjithë, nuk shpallte armik dhe mundohej të gjente ura.

Kërkesës për t’u rikthyer në PS, Malaj shprehet se Nano i kishte thënë se nuk donte të kthehej.

“‘Kur je jashtë politikës të bëjnë hero, kur je në politikë të bëjnë kriminel, nuk kam në plan të rikthehem”, më pati thënë kur kërkohej rikthimi i tij në PS’”, rrëfeu Malaj.