La paratë e firmës ku punonte në bixhoz, 27-vjeçari në Tiranë inskenon vjedhjen

Një 27-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë, pasi bëri kallëzim të rremë për vjedhjen e një çante me dokumente dhe me një shumë parash, në automjetin e firmës ku punonte.

Pas kryerjes së hetimeve policia gjeti në banesën e 27-vjeçarit çantën e cila ishte kallëzuar si e vjedhur.

I riu kishte marrë shumën prej 190 mijë lekësh të rinj që ndodhej në çantë dhe e kishte shpenzuar në lojëra fati. Më pas ai kishte inskenuar ngjarjen sikur makina e punës së tij kishte rënë pre e grabitjes.

Çanta u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet në ngarkim të 27-vjeçarit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi B. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, se i kishin vjedhur çantën me dokumente dhe me 190 000 lekë, në automjetin e firmës ku punonte, në lagjen “Mazreku”, Kashar, kanë nisur menjëherë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. M. ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e çantës me dokumente dhe para. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar çanta për të cilën kishte bërë kallëzim. Gjithashtu, pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shumën e parave, shtetasi B. M. e ka shpenzuar për lojëra fati”, thuhet në njoftimin e policisë.