“Cikloni i madh grek” kap jugun e Shqipërisë dhe Italisë

Po e quajme “cikloni grek” pë shkak të impaktit të madh që pati dhe ende ka ky ciklon masiv në territorin grek ku ka reshje jashtëzakonisht të mëdha shiu dhe stuhi, shtrëngata e tornado të fuqishme.

Cikloni po vazhdon të gjenerojë reshje intensive në shumë pjesë të Greqisë edhe sot, ndërsa sistemet masive të vranësirave nga ky ciklon kanë mbërthyer edhe jugun dhe juglindjen e Shqipërisë por pa reshje të mëdha sikur në Greqi.

Cikloni masiv po fuqizohet edhe më shumë në jug të Mesdheut, Detin Jon dhe jug të Italisë duke kapur edhe shumë pjesë të jugut të Italisë me stuhi dhe reshje të rrëmbyeshme shiu.

Cikloni do të vazhdojë edhe nesër (e enjte) të ndikojë në motin në Greqi, jug të Italisë dhe po ashtu edhe në territoret tona, madje pritet të kemi fuqizim të përkohshëm të ndikimit të këtij cikloni, me vranësira dhe reshje lokale shiu si dhe lokalisht edhe ndonjë rrebesh shiu me vetëtima dhe bubullimë sidomos në Maqedoninë Veriore, juglindje dhe lindje të Shqipërisë dhe disa vise të Republikës së Kosovës.

Nga e premta do të ketë tërheqje graduale të masave ciklonike nga territori Ballkanik në drejtim të detit të hapur dhe brigjeve të Libisë në Afriken veriore. Reshjet do ndalen në Greqi më në fund ose do të rrallohen dhe dobësohen.