Si ra në rrjetën e SPAK Pëllumb Gjoka, i përfshirë në vrasje/‘I forti” i Velipojës fshihej pas profilit si biznesmen

Emisioni “Në Shënjestër” i Klodiana Lalës ka publikuar detaje të reja rreth dosjes hetimore të biznesmenit Pëllumb Gjoka, të arrestuar gjatë aksionit “Metamorfoza”.

Në dosjen hetimore të SPAK, duket se gjithçka nisi pas kallëzimit të familjarëve të shtetases Drande Hoti Gjoka. Kjo e fundit një 99-vjeçare, e cila kishte lënë në testamentin e saj, një sipërfaqe toke prej 39 hektarësh në pyllin e Velipojës.

Por që në vitin 2022, familjarë të saj të afërt pjesë e testamentit, vërtetojnë se ishin përjashtuar nga trashëgimia pronësore. Kallëzimi në SPAK për këtë çështje u bë në 16 Janar 2023, nga shtetasit Lule Zefi dhe djali i saj Donald Zefi.

Pasardhësit e Drande Hotit pretendojnë se pasuritë e paluajtshme të kësaj shtetaseje, me sipërfaqe prej 39 hektarësh në fshatin Pulaj, komuna Velipojë, janë tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme nga shtetasit Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë.

Do të ishte pikërisht ky episod i tjetërsimit të një sipërfaqe të tillë prone, që sipas Prokurorisë së Posaçme, do të sillte edhe zbulimin e aktivitetit kriminal të Pëllumb Gjokës, por edhe të personave të tjerë që bashkëpunonin me të.

Për këtë çështje, SPAK nisi një hetim për Pëllumb Gjoka dhe grupit të strukturuar kriminal që fshihej pas tij.

Por nga hetimet dhe përgjimet e SPAK rezulton se Pëllumb Gjoka është i përfshirë edhe në vrasjen e Gjin Boriçit.

Sipas përgjimeve të zbardhura nga SPAK, falë bisedave të kryera në aplikacionin SKY ECC, pjesëmarrës në këtë krim janë Pëllumb Gjoka, i cili në këto biseda, mban pseudonimin ‘Kolombo’.

Pjesë nga përgjimet:

Më datë 7 Gusht 2020, ora 12.23 shtetasi Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.

Pëllumbi i shkruan: Kur mendon?

Në orën 18. 11, Behari i shkruan: ‘Nesër mbrëma kryhet një punë dhe atëherë për një javë kryhet puna jote.

Pëllumbi i shkruan: ‘Ok vëlla’.

Siç shikohet, ky komunikim i përket datës 7 gusht 2020. Pra dy ditë përpara se të konsumohet krimi ndaj Gjin Boriçit.

I cili nuk është në dijeni se ekzekutuesit e tij, ata që do ta nxjerrin në pritë, janë pikërisht shokët e tij të ngushtë.

Behar Brajoviq, që është krahu i armatosur i Bajrave në Shkodër, pasi e siguron Pëllumb Gjokën se kjo punë, pra vrasja e Gjin Boriçit, do të kryhet shpejt, i premton po ashtu atij se shpejt do të kryhet edhe puna e tij.

Ndërkohë që përgjatë dy ditëve grupi i ngritur për të vrarë Gjin Boriçin për llogari të Ervis Martinaj, kapet në çdo bisedë duke u kujdesur që të mos u shpëtojë asnjë detaj në lidhje me skenarin e ekzekutimit.

Më datë 9 gusht në orët e para të mëngjesit, Behar Brajoviq, këtë herë del në komunikim me Edmond Prekën.

Pjesë nga përgjimet

Edmondi e pyet, nëse do të marrë njeri me makinë?

Behari i shkruan që, do të marri dy veta. Behari i tregon që makinën do ta djegin sa të kryejnë punë dhe do të ecin në këmbë, do të marri vetëm këto të dy, ti mbaj brenda diku. Behari i tregon që, sa të kryhet ky, ikën ai k…. i Tiranës sepse kështu e kam lënë me të, me ndërrim.

Siç shikohet edhe nga komunikimi i mëposhtëm ekzekutimi i Gjin Boriçit, kryhet diku midis orës 1.00 dhe 2.00 të mëngjesit të datës 9 gusht.

Dhe besohet që në makinë me të, të ketë qenë edhe Denis Brajoviq.

Kjo me qëllim për të hequr çdo dyshim te shoku i tyre, mbi atë çfarë do t’i ndodhë pas pak.

Ndërkohë që në orën 00.27 të mëngjesit, në përgjime del edhe Ervis Martinaj, i cili komunikon me Denis Brajoviq.