Masakra në Greqi/ Zbulohen të tjera detaje, emri kryesor që po hetohet

Hetimet për vrasjen e 6 personave në Greqi po vijojnë. Së fundi janë zbardhur detaje të reja në lidhje me personin që u arrestua në aeroportin “Eleftherios Venizelos”, i cili dyshohet se ka lidhje me krimin.

Sipas mediave turke dhe greke, po hetohen lidhjet e 32-vjeçarit Süleyman Dalgiç, të cilit gjatë arrestimit në aeroport iu gjetën armë, plumba 9mm, karta identiteti dhe pasaporta false.

Mediat bëjnë me dije se 32-vjeçari është emri kryesor që po hetohet për krimin dhe se është një ish oficer policie i pushuar nga puna.

Policia greke përcaktoi se në shtëpinë e marrë me qira nga të vrarët në Loutsa nga data 4 deri në 11 shtator një dër personat që i vizituan ishte dhe Süleyman Dalgiç. Është konstatuar se Dalgiç, i cili u kap me pasaporta false në aeroport, një ditë para ngjarjes qëndronte në një hotel në zonën ku ndodhi vrasja.

Dyshohet se Dalgiç, i cili kontrabandonte emigrantë, mund të kishte sjellë në Greqi disa nga anëtarët e bandës së vrarë ose do të çonte viktimat në Itali për të takuar kreun e bandës Baris Boyun.