“Dua kokë njeriu, do t’ua bëj shtëpinë gjak”, si e paralajmëroi Dan Hutra masakrën 1 vit më parë

Dan Hutra, 40-vjeçari i cili vijon të jetë në kërkim për vrasjen e dyfishtë në Paskuqan nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Ai më parë ka qenë i dënuar për vrasje dhe dhunë, por jo vetëm kaq.

Një vit më parë Hutra e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë dhe ish-bashkëjetuesja e tij Elena Hysa kishte vënë në dijeni uniformat blu.

Para një viti Hysa, ngriti padi ndaj partnerit të saj Dan Hutra pasi ky i fundit e dhunonte vazhdimisht, e kërcënonte dhe e kishte kthyer atë në një shërbyese, nga e cila kërkonte çdo gjë gati edhe larjen e këmbëve.

Por pavarësisht këtyre, Elena Hysa u lumturua pa masë kur zbuloi se ishte shtatzënë. Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga partneri i saj i cili e akuzoi Hysën se fëmija që ajo po mbante në bark nuk ishte i tij.

Në këto rrethana, Elena Hysa vendosi të largohej nga shtëpia e Hutrës dhe u shpërngul te prindërit e saj. Por as këtu Elena nuk gjeti paqe pasi Dan Hutra e kërcënonte sërish dhe i bënte presion familjes së saj për t’i kthyer të gjitha shpenzimet e fejesës që shkonin rreth 4 mijë euro.

Ai kërcënoi familjen e ish-bashkëjetueses duke iu thënë:

Dua kokë njeriu, do shkojë gjaku deri në gju, vajza juaj më ka ikur nga shtëpia. Nëse nuk gjeni paratë do jua bëj shtëpinë gjak, nuk mbaj kopilin tuaj.
Pas kallëzimit në polici, Elena Hysa mori urdhër mbrojtje ndërsa Dan Hutra vijonte të mohonte se ka ushtruar dhunë ndaj saj. Më datë 16 qershor ai u arrestua nën akuzën e “Dhunës në Familje”, por u lirua 8 muaj më pas, më 16 shkurt.