Gjykata mbyll dyert gjatë seancës për Dan Hutrën, ka dyshime të forta se ka kryer krime të tjera të rënda kur ishte i lirë. Asnjë avokat nuk merr përsipër ta mbrojë

Seanca e caktimit të masës së sigurisë për Dan Hutrën këtë të shtunë u mbajt me dyer të mbyllura dhe larg syrit të gazetarëve për shkak të dyshimeve të forta që ka prokuroria dhe policia se ai mund të jetë autor i dyshuar i ngjarjeve të rënda kriminale që kanë ndodhur në periudhën maj 2021- qershor 2022.

Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se “fakti që gjykata ka mbyllur dyert për median do të thotë që Dan Hutra dhe sipas informacioneve që kam, po hetohet për vrpra të tjera të rënda penale që mund të ketë kryer teksa ishte i lirë se pasi përfundoi 16 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes së parë në maj 2021 u la i lirë e më pas u arrestua në qershor 2022, e dyshohet që gjatë kësaj periudhe ka kryer krime të rënda e për këtë arsye po hetohet e janë duke u kryer veprime hetimore.

Se cilat janë këto ngjarje, prokuroria dhe policia janë duke i mbajtur në top sekret, por nga ana tjeër ka mjaft veprime hetimore në dosjen e prokurorisë e për këtë shkak u vendos që seanca të bëhet me dyer të mbyllura”.

Burimet thanë se asnjë avokat nuk ka marrë përsipër mbrojtjen e Dan Hutrës, por për procedurë gjykata vendosi një avokat kryesisht për të pasur mundësi të zhvillojë seancën për caktimin e masës së sigurisë.