Makina fluturon nga mbikalimi mbi një makinë tjetër, Policia: Dy gra të vdekura, dhe 3 të plagosur (Video)

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë te nënkalimi i TEG-ut, në Tiranë, ku dy gra kane mbetur te vdekura.

Mësohet se si pasojë e aksidentit janë plagosur edhe 3 persona të tjerë.

Makina ka rënë nga mbikalimi në rrugë, disa metra poshtë dhe aty ka goditur edhe një makinë tjetër.

Në pamje mund të shihet edhe makina e goditur, si dhe një person i cili po ndihmohet nga ekipi mjekësor.

Policia Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.

Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.