Euro vijon rënien

Monedha europiane ka zbritur në nivelin më të ulët për këtë vit në kursin e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar ta Bankës së Shqipërisë një Euro këmbehet sot me 114.07 Lekë. Ndërkohë që në agjencitë e këmbimit valutor një Euro blihet me 113,8 Lekë dhe shitet me 114,5 Lekë.

Që nga fillimi i muajit Mars monedha europiane ka njohur vetëm rënie dhe prej një jave po qëndron nën nivelin e 115 Lekëve.

Për ekspertët e ekonomisë zhvlerësimi i kësaj monedhe, vjen si pasojë e qarkullimit të lartë të euros informale, në një kohë kur kërkesa në treg është e dobët. Krahasuar me një vit më parë euro ka humbur thuajse 10 pikë në kursin e këmbimit me lekun.

Në dhjetor të vitit të kaluar euro arriti edhe nivelin më të ulët historik kur zbriti në vlerën e 112.83 Lekëve. Monedha kombëtare po fiton terren edhe ndaj valutave të tjera. Edhe dollari amerikan ka pësuar një rënie të lehtë gjatë kësaj jave. Sot këmbehet me 107.62 Lekë.