E rëndë/ Përplasi për vdekje shqiptarin që po shkonte në spital, e pëson keq shoferi në Itali

Një 59-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm në Itali pasi është përplasur nga një furgon që drejtohej nga një bashkëatdhetar.

Shqiptari i cili ende nuk është identifikuar ishte duke lëvizur me biçikletë kur u përplas fuqishëm nga furgoni me drejtues një 28-vjeçar shqiptar.

Në orën 6 të mëngjesit 59-vjeçari shqiptar ishte nisur për të mbërritur në Giugliano me biçikletën e tij pasi duhej t’i nënshtrohej disa testeve mjekësore.

Rreth orës 6.30 kur ka qenë duke udhëtuar përgjatë rrugës “Santa Maria a Cubito” në territorin e Villa Literno, shqiptari është përplasur nga një furgon.

Nga përplasja e fuqishme, 59-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Në tentativë për t’u arratisur, drejtuesi i mjetit ka goditur edhe një makinë tjetër, duke i shkaktuar lëndime të lehta drejtuesit. Shoferi ka dalë nga furgoni dhe është larguar në këmbë duke i humbur gjurmët përkohësisht.

Falë pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë, hetuesit kanë arritur të zbulojnë targën e furgonit që ishte shqiptare dhe të identifikojnë më pas shoferin po ashtu shqiptar. 28 vjeçari është arrestuar dhe transferuar në burgun e Santa Maria Capua Vetere pasi akuzohet për tre vepra penale.