Sekuestrohen 8 mijë rrënjë, të mbjella në 27 sera, pranga 52-vjeçarit në Malësinë e Madhe

Gjatë kontrollit masiv të territorit, me mbështetjen e inteligjencës informative, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh u zbuluan 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Grupi hetimor, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjithashtu, vijon puna në vendngjarje me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të fidanëve, sekuestrimin e një sasie fidanësh në cilësinë e provës materiale, asgjësimin e pjesës tjetër të fidanëve dhe agjësimin e bazës materiale që ka shërbyer për kultivimin e fidanëve narkotikë në kubikë, proces i cili do të pasqyrohet përmes pamjeve filmike dhe fotografike.

Në vijim të veprimeve hetimore, është arrestuar shtetasi N. D. alias E. V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.

Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Gj., 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; R. Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A. H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë).

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 armë gjahu, një sasi fishekësh për armë gjahu dhe 5 armë të ftohta (thika), të cilat ky shtetas i mbante pa leje.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe ato të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin N. D., për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa për shtetasit Gj. Gj., R. Gj. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.