Djemtë e kandidatit të PS për Bashkinë e Hasit kapen në flagrancë me furgonin plot ushqime, socialisti mohon akuzat, polica nis hetimet

Në ditën e tretë të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit rikthehet në vëmendje shit-blerja e votave e cila do të jetë kryetemë e këtyre zgjedhjeve. Mbrëmjen e djeshme është kapur dhe ndaluar në flagrancë furgoni i dy djemve të kandidatit të Partisë Socialiste në Has, Beqir Mulaj nga policia. Furgoni është i mbushur plot me pako me ushqime dhe me lekë që ishin parashikuar për t’u shpërndarë në çdo familje hasjane kundrejt votave. Nga sa kuptohet nga pamjet mësohet se objekti nga nxirren pakot që ngarkohen në furgon është institucion arsimor, konkretisht shkollë, çka e thellon edhe më shumë këtë skandal ku vihet re angazhimi shtetëror në shit-blerjen e votave dhe krimit zgjedhor, që vijon të jetë i pandëshkueshëm në Shqipëri. Denoncimi mësohet se është bërë nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti, i cili ka filmuar dhe ndalimin e furgonit në fjalë.

Ndërkohë kandidati i PS për bashkinë e Hasit, Halit Mulaj ka folur për mediat dje, lidhur me bllokimin e furgonit me pako me ushqime që u denoncua nga rivali i tij politik, Miftar Dautaj si veprim në përpjekje për të manipuluar votat e qytetarëve. Mulaj theksoi se pakot e rezervave të shtetit të cilat shfaqen edhe në pamjet e publikuara, shpërndahen me vendim të këshillit bashkiak çdo vit për familjet në nevojë në Natën e Kadrit.

Sa i takon prezencës së djalit të tij, në ngarkimin e furgonit me pako ushqimore, Mulaj u shpreh se ai ishte gjendur rastësisht dhe personi përgjegjës i kishte kërkuar ndihmë për t’i transportuar pakot. Ai shtoi se kjo është diçka e përvitshme që kundërshtarët politikë po mundohen ta ekzagjerojnë duke shfrytëzuar fushatën elektorale. Nga ana tjtër, edhe Policia e Hasit ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon denoncimit të bërë nga Miftar Dauti, kandidat i koalicionit Meta-Berisha kundrejt Halit Mulajt, kandidat i PS për bashkinë e qytetit.

Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se në furgonin e bllokuar me dyshimin se po shpërndante ndihma për llogari të kandidatit të një partie politike, janë gjetur 21 pako me 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”. Për rastin po merren në pyetje B.M dhe E.M, dy djemtë e kandidatit të PS si dhe magazinieri i bashkisë së Hasit.