Mjekja zbulon alergjinë që prek më shumë pacientë në pranverë: Kujdes me pluhurin e shtëpisë

Alergologia, Alketa Ibranji ka folur këtë të enjte për simptomat e alergjive të pranverës. E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo zbuloi disa nga alergjitë që prekin njerëzit në këtë periudhë, duke theksuar se ajo nga pluhrat e shtëpisë kryeson krahasuar me të tjerat.

Sipas mjekes, pacientët i konsiderojnë diçka normale alergjitë, derisa kur ajo kalon në astmë paraqiten te mjeku.

“Për alergjitë respiratore siç jemi tani, simptomat kryesisht ndjehen në sy dhe në hundë, sepse ajo është porta hyrëse. Për alergjitë ushqimore është trakti tretës, por edhe goja dhe portat hyrëse të ushqimit. Në rastet e alergjive të kontaktit, në vendin e kontaktit zhvillohen pikërisht këto alergji. Prandaj, çfarë është alergjia? Një reaksion i ekzagjëruar i organizmit ndaj një partikule, e cila është për shumicën e padëmshme. Kështu do të përkufizohej.

Përceptimi është sikur në pranverë bëhet nami, por realisht numrin më të madh të pacientëve alergjik e mbajnë pacientët që kanë alergji nga pluhuri i shtëpisë. Veçse se ky është tinzar, simptomat i ka më të buta, të merr kalanë nga brenda themi ne në një farë mënyre sepse simptomat vijnë nga një bllokim të lehtë të hundës, me të cilën ti mësohesh dhe t’i thua është normale për mua. Por ka diçka, që alergjia avancon dhe shkon drejt astmës dhe te mjeku natyrisht pacientët vijnë te faza e astmës bronkiale, atëherë kur është cënuar cilësia e jetës”, u shpreh ajo./abcnews.al