Vritet me thikë në fyt shqiptarja në Itali, plagoset edhe “vëllai” i saj

Një 38-vjeçare shqiptare është vrarë pasditen e djeshme në një shtëpi në Pavia, Itali.

38-vjeçarja Anila Ruçi është vrarë me thikë në fyt, ndërsa pranë shtëpisë së saj është gjetur i plagosur edhe shqiptari Osman Bilyhu.

Ruçi kishte rreth një vit që jetonte në shtëpinë ku u gjet e pajetë dhe me të jetonte 38-vjeçari Osman Bilyhu, të cilin e reja ua prezantonte fqinjëve dhe miqve të fshatit si vëllanë e saj. Ky i fundit u gjet i plagosur pranë shtëpisë dhe tani është i shtruar në terapi intensive në spitalin San Matteo në Pavia. Sapo gjendja e tij të përmirësohet, 38-vjeçari do të merret në pyetje pasi mbetet ende mister rrethanat e ngjarjes së rëndë.

Alarmin për vrasjen e ngriti estetistja me të cilën Anila Ruci kishte lënë takim dhe kur kjo e fundit nuk kishte shkuar, ajo kishte njoftuar policinë. Shqiptarja punonte si kujdestare për të moshuarit në zonën ku banonte por fqinjët nuk dinë asnjë detaj rreth ngjarjes së rëndë.

Ka dyshime se persona të panjohur kanë hyrë në banesën e shqiptares rreth orës 05:00 të mëngjesit, por është e paqartë pse ngjarja u mësua gati 12 orë më pas.