Identikiti i autorit të vrasjes, gazetari: Kishte veshur dy palë rroba, që të dukej i mbushur! Se është i dobët

Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha thotë se autori i vrasjes së Ardian Nikulaj nuk është një person me trup të mbushur dhe i palestruar, siç e kërkon Policia e Shtetit, por krejt e kundërta.

Sipas tij, identikiti i autorit është ndryshe nga ai që mund të kenë hetuesit, pasi ka veshur qëllimisht dy palë rroba që të dukej më i mbushur në trup. Ndërsa për Ardian Nikulaj, gazetari Artan Hoxha tha se para vrasjes, ai ka bërë disa telefonata dhe ka qenë tepër i acaruar.

“Ajo që bie në sy, nga veprimet që kam parë aty, autori ka përdorur një hile, Ai duket sikur është trupmbushur, por ai ka veshur dy palë tesha dhe ka edhe jelek anti-plumb. Pra ndryshe nga identikiti i policisë, sipas informacioneve, autori nuk është siç e kërkon policia një trupmbushur dhe i palestruar, por krejt tjetër, një person i dobët, qitës shumë i mirë.

Kam kontaktuar me një personazh që ka qenë në lokal 30 minuta para. Ka biseduar me Ardianin. Ai ka bërë disa telefonata dhe ka qenë i acaruar.

Nuk e di nëse prokuroria ka mbledhur gjë, por ka patur disa telefonata. Autori ka mbikqyrur lëvizjet e Nikulajt. E ka patur të qartë që objektivi ka mbetur i vetëm në tavolinë”, është shprehur gazetari Artan Hoxha, mbrëmjen e kësaj të enjteje në në emisionin “Të Paekspozuarit”.