Tre vrasje dhe Ervis Martinaj! A dështoi Met Rrumbullaku?

Në shtatorin e vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama i bëri një prezantim pompoz drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku që zuri vendin e Gledis Nanos, i cili u shkarkua me argumentin se nuk kishte përmbushur objektivat.

Kreu i qeverisë i vendosi ultimatum drejtorit të ri të policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku që të dilte me një përgjigje të shpejtë për fatin e biznesmenit Ervis Martinaj nëse ishte gjallë apo vdekur.

Por kanë kaluar tetë muaj dhe Rrumbullaku nuk e ka një përgjigje. A ra objektivi i parë, nëse do të flasim me gjuhën më të cilën, të paktën zyrtarisht u shkarkua Nano?

Për të shmangur përgjigjen për këtë pyetje, Rrumbullakun e kanë ndihmuar ngjarjet e shumta kriminale që të “harrohet”, por që në fakt i kanë dhënë një tjetër goditje të fortë. Në harkun e pak javëve kanë ndodhur tre vrasje. Asnjë e zbardhur.

Në 12 Mars u ekzekutua Mimoza Paja, e pafajshme, teksa punonte banakiere në lokalin e Fation Muratit, rival i Ervis Martinajt. Ngjarje e pazbuluar. Në 27 Mars sulmohet “Top Channel”. Vritet roja Pal Kola. Ngjarje e pazbardhur.

Në mes të ditës në Shëngjin, u vra biznesmeni, Ardian Nikulaj. Killeri hyri i qetë, kreu vrasjen dhe iku i qetë me motor. Deri tani asnjë i arrestuar. Ngjarje e pazbardhur.

Nuk po llogarisim këtu ngjarjet pa pasoja në njerëz, shpërthimet me tritol, sulmet me armë ndaj biznesit në Kurbin apo lulëzimin e kanabisit, çuditërisht sa herë që ka zgjedhje. Me këto statistika krimi i ka “lënë targën” policisë së Muhamet Rrumbullakut.