Burri i premton se do t’i kthejë shtëpinë e paratë: Gjej ndonjë më të mirë se s’më gjete mua tamam!

Vëllai i Dhimitrit, Spiro është arsyeja e vërtetë që Liria ka thirrur bashkëshortin e saj në “Shihemi në Gjyq”. Gjatë jetës së tij, Dhimitri ka shkrirë pasurinë për të ndihmuar vëllain e tij, duke mbetur vetë pa para e shtëpi. Kjo është arsyeja që Liria i kërkon që ai të marrë prej vëllait të tij borxhet që i detyrohet.

Në fillim të seancës së ndërmjetësimit nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani nënvizoi se bëhet fjalë për një shumë të madhe, por nuk zbuloi shifrën. Ndërmjetësja tha gjithashtu se ka kontaktuar me Spiron, ai ka rënë dakord për t’u takuar me të dhe më pas, është larguar drejt një shteti europian.

Pavarësisht këtij fakti, Dhimitri nuk pranon që të vendosë vëllain para përgjegjësisë dhe mjaftohet me premtimin e tij. Vetë ai i thotë Lirisë se do t’ia kthejë mundin e saj dhe rrugët e tyre mund të ndahen.

Dhimitri: E di kush është qëllimi im që ia kërkoj me firmë atij? Se ai e ka pranuar që do t’i jap dhe ka filluar të grumbullojë paratë. Qëllimi im që ia kërkoj me firmë sepse gjendja ime shëndetësore më këputi në mes, është që nesër kur fëmijët e mi që nuk peshojnë dot sa peshoj unë të më vriten, të më rrojë pasuria, të më rrojnë paratë mua po s’i bie kjo këtij lapsi! Gjykoj shumë larg unë dhe unë dua ta zgjidh ndryshe këtë punë, dua ta zgjidh me mirëkuptim dhe kisha bindje që do vinte me patjetër. Jo këtu, atje në zyrë vetëm për vetëm.

Eni Çobani: Do vijë? Jeni i bindur?

Dhimitri: E kam besimin.

Eni Çobani: Unë sikundër kam njoftuar çdo rast do njoftoj edhe këtë rast që në qoftë se zoti Spiro vjen për ta zgjidhur privatisht, jam më e lumtur edhe se ju, edhe se zonja Liri që ju të merrni atë që ai ju detyrohet.

Dhimitri: Do pranojë.

Eni Çobani: Jo do pranojë por nuk të vjen. Ne e kemi telefonuar disa herë, të lutem. Zonja Liri, çfarë i kërkon përfundimisht këtij zotërisë?

Liri: Këtij zotërisë unë i kërkoj të më kthejë shtëpinë se nuk kam vilë, një dhomë e një kuzhinë, të më kthejë edhe lekët që kam punuar me gjithë fëmijët dhe zotëria si të ketë qejfin pastaj. Dakord?

Dhimitri: Do të ta jap shtëpinë, do të të jap dhe paratë e hakut dhe do të të uroj mos gjen ndonjë burrë më të mirë nëse do se s’më gjete mua tamam! Hajde kaq!/tvklan.al