‘Plas’ keq në emision, Salianji sulmon Gjylametin: Po të ruaj se je zonjë, s’ke nivel të merresh me mua

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u përplas në “Now me Erla Mëhillin” me deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylametin.

Sipas tij, Gjylametit ja ndërrojnë zonën sepse nuk dinë ku ta çojnë, duke e ofenduar kështu se nuk ka nivel për debatin me të dhe se duhet të falënderojë emisionin që e ftojnë.

“Për nivelin tuaj meqenëse je zonjë unë nuk po të flas, por mund të të flas shumë mirë. Mund të të flas nga Pogradeci dhe nga gjithë elementët e tjerë. Të flas mirë zonjë për nivelin se ku, por mos hyr te këto se çfarë niveli. Nëse është çështje niveli, në debat unë me zor të pranoj ty, e kupton? Pra duhet të falënderosh Erlën edhe këta që vjen,” – u shpreh Salianji.

Sipas Gjylametit, komente të tilla vijnë sa herë që mungon argumenti. Ajo u shpreh se Salianji kishte nivelin për të shkuar edhe më poshtë në fyerje, ndërsa i kërkoi të mos e ruante fare me justifikimin se është zonjë, pasi nuk priste që biseda me të të kishte nivel, apo të respektohej debati.