“Portugez që flet shkodranshe ta marrsha”/ Pasi u shpall në kërkim si porositës për vrasjen e Ardian Nikulajt, vjen reagimi i fortë nga e afërmja e Edmond Haxhisë: Ndonjë histori tjetër për Hollywood a keni?!

Një e afërme e Edmond Haxhisë, i akuzuar si porositës i vrasjes së Ardian Nikulajt pak ditë më parë në lokalin e tij në Shëngjin, ka reaguar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Duke iu referuar dëshmive sipas të cilave autori i vrasjes fliste në dialektin shkodran, ajo ka ironizuar duke thënë se nuk ka parë ndonjëherë portugez që flet në këtë mënyrë.

Nertila Haxhia shkruan më tej teksa pyet me ironi nëse “ka ndonjë histori tjetër për Hollyëood”.

“Portugez qe flet shkodranshe ta marrsha! Bukur jeni t’u ua rras te pafajshmeve! Vazhdoni se e keni mire! Shkoni vidhni motorra anej e ktej tek njerez te afterm,e ngjitujani atyne.

Blini “deshmitare” dhe aktore per kamera nje vit rrjesht, improvizoni persona te ngjashem, blini vete karta telefoni angleze e shqiptare e shkruni mesazhe, pasi thyeni pa autorizime të tjeret. Patjeter more, vrasjet me motora te vet i bajne njerezit, madje me letra ne emrin e vet. Naj histori tjeter, per Holliwood a keni?!”, ka shkruar ajo.

Në njoftimin për shtyp policia bëri me dije se ka shpallur në kërkim 6 persona në lidhje me vrasjen e Nikulajt, mes tyre porositësin Haxhia, ekzekutorin portugez dhe katër shtetas britanik, një prej të cilëve grua.

Edmond Haxhia po hetohet si organizator, porositës dhe financues i krimit dhe ai është djali i dajës së Elton Lekstakaj. Ardian Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997. Sherri nisi për shkak të një pretendimi se nuk ishin paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant.

Përgjatë viteve 1997 deri 1999 janë kryer disa vrasje dhe plagosje mes palëve. Nikulaj, i cili nuk u mor kurrë në pyetje për këto raste, u vra mbi 20 vite më vonë.