Motorin ia shiti një vajzë/ Killeri portugez i Nikulajt e mbushi plot me karburant, punonjësit i foli në gjuhë të huaj

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja mafioze e sofistikuar e Ardian Nikulaj në Shëngjin disa ditë më parë nga një vrasës profesionist portugez. Ndërkohë, janë zbuluar lëvizjet e këtij të fundit. Si ka vepruar, ku ka shkuar dhe gjithçka ka bërë para dhe pas vrasjes së biznesmenit lezhjan.

Ekzekutori i 51-vjeçarit, portugezi Ruben Saravia pasi kreu vrasjen është larguar nga vendi i ngjarjes ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër. Pikërisht pranë fshatit ku banonte familja Haxhia që dyshohet se e ka strehuar dhe e ka ndihmuar.

Portugezi ka furnizuar motorin e tij në një pikë karburanti në superstradën Lezhë-Shkodër. Kjo është zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Policia ka shoqëruar pyetur punonjësin e karburantit, i cili ka komunikuar me drejtuesin e motorit. Ai ka qenë i kamufluar me të njëjtat rroba. Dhe ka folur në gjuhë të huaj kur ka kërkuar për të furnizuar mjetin dhe më pas është larguar.

Motomjeti dyshohet të jetë blerë nga një vajzë në qytetin e Shkodrës, por për shkak të sekretit hetimor nuk jepen detaje. Diçka e tillë pritet të ndihmojë hetuesit për të shkuar në gjurmët e autorit.

Policia është rikthyer sërish në zonën e Gjadrit dhe Kakarriqit, duke bërë kontrolle në disa banesa në kërkim të gjurmëve të autorit. Kryesisht kontrollet janë përqendruar në banesat e disa personave të cilët kanë lidhje me fisin Lekstakaj. Në një ndërtesë të braktisur janë gjetur edhe rrobat që dyshohet se ekzekutori i ka përdorur për vrasjen.

Si rezultat i hetimeve janë dokumentuar veprimet e autorëve të dyshuar, nga momenti i organizimit, deri në momentin e vrasjes së 51-vjeçarit Ardian Nikulaj si dhe e gjithë dinamika dhe itineraret e përshkruara nga ekzekutori dhe të gjithë shtetasit e tjerë të përfshirë si organizatorë dhe bashkëpunëtorë në kryerjen e kësaj ngjarjeje.

/5pyetjet.al