Makina përplaset me këmbësorët, dy të vdekur dhe pesë të plagosur

Dy burra, të moshës 72 dhe 81 vjeç, kanë vdekur pas një aksidenti rrugor në Madrid.

Ata u përplasën nga një automjet me shpejtësi të lartë, ndërsa shoferi u përpoq të ikte nga vendngjarja.

Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes dhe shkaktoi edhe pesë lëndime të lehta.

Hetuesit kanë përjashtuar mundësinë e një motivi terrorist dhe dy personat e vdekur ishin në dy pjesë të ndryshme të trotuarit.

Policia konfirmoi se në makinë ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa i treti është arratisur. Autorët e aksidentit ishin një grup personash, qëllimi i të cilëve ishte vjedhja e katalizatorëve. Ata po kalonin në qytetin e Leganies me një Mercedes C-Class, kur një patrullë policie i vuri re duke lëvizur në mënyrë të dyshimtë.

Policia ndaloi mjetin për kontroll, por drejtuesi i mjetit u largua me shpejtësi. Automjeti hyri në Madrid dhe kishte nisur një garë me policinë, pasi theu semaforët dhe u përpoq të shmangë këmbësorët në rrugë. Në këtë garë, ata goditën dy burrat e moshës 72 dhe 81 vjeç, të cilët humbën jetën menjëherë.

Një dëshmitar vuri në dukje se makina iu shmang disa automjeteve në rrugën kryesore të lagjes Paseo de Extremadura përpara se të godiste viktimat. Trafiku në rrugën kryesore të Paseo de Extremadura është bllokuar përkohësisht nga policia, ndërsa hetimet e plota vazhdojnë. Ky aksident i trishtë ka shkaktuar shumë zhgënjim dhe ngushëllime për familjet e viktimave.