‘Vajza po qante, ajo nuk dilte nga banja’/ “Çmendet” shqiptari në Greqi dhunoi gruan pasi u irritua nga të qarat e fëmijës

Një 34-vjeçar është dënuar me 12 muaj burg, pasi ka rrahur bashkëshorten e tij sepse… ishte irrituar nga të qarat e fëmijës së tyre. Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur kur shqiptari u kthye në shtëpi nga puna, ku nisi një debat të ashpër me gruan e tij.

Në një moment, gruaja u ngrit nga tavolina dhe shkoi në tualet, e pikërisht në atë moment fëmija i tyre katër muajsh filloi të qante dhe 34-vjeçari nuk dinte çfarë të bënte për ta ndaluar. Kështu që, siç u shpreh edhe vetë, nga irritimi goditi gruan që u vunua shumë për të dalë nga banja.

Gruaja 30-vjeçare deklaroi në dëshminë e saj se ishte hera e parë që bashkëshorti i saj sillej dhunshëm ndaj saj dhe përshkroi momentin kur e sulmoi, ndërsa i kërkoi gjykatës që të mos e dënonte për veprimet e tij.

“Kjo mund t’i ndodhë çdo familjeje. Burri im erdhi nga puna dhe ne po flisnim për fëmijët tanë. Unë u çmenda, u tërbua edhe ai dhe kështu ndodhi; më goditi në fytyrë dhe me shqelma pas shpine. Ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë, nuk besoj se do ta bëjë përsëri sepse biseduam dhe më kërkoi falje. Jemi të martuar prej 5.5 vitesh dhe besoj se nuk do ta bëjë më sepse më do mua dhe fëmijët. Ishte një ditë e keqe. Nuk e di si ndodhi,”- tha në gjykatë gruaja me origjinë shqiptare.

Ndërsa shqiptari shtoi: U mërzita kur ajo shkoi në tualet dhe mbylli derën. Vogëlushja filloi të qante dhe unë nuk mund të bëja asgjë. Unë i bërtisja që e vogla po qante dhe ajo nuk dilte nga banja. E humba, pashë fëmijën duke qarë dhe e humba. E godita me dorë. Ndërsa unë e shtyva, e tërhoqa dhe e godita me shkelma. E kapa kur doli nga tualeti dhe e shkelmova. Sinqerisht nuk e godita me dorë në fytyrë. Ishte hera e parë dhe më vjen keq. Nuk doja ta godisja seriozisht.