Lajm i trishtë/ Humb jetën zyrtari në burg (EMRI+FOTO)

Hader Adnan, një zyrtar i lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez, pas një greve urie 87-ditore për të protestuar ndaj burgosjes së tij në Izrael, ka ndërruar jetë.

Pasi u publikua lajmi për vdekjen e tij, u hodhën raketa nga Rripi i Gazës, ku Xhihadi Islamik Palestinez ka një prani të fortë, në Izrael, zbuluan gazetarët e AFP. Ushtria izraelite tha se sirenat e mbrojtjes ajrore u dëgjuan në një kibuc pranë Rripit të Gazës, përpara se të thoshte se gjithsej tre raketa u lëshuan, të gjitha të cilat ranë në parcela boshe toke.

Drejtoria e burgjeve të Izraelit njoftoi në një deklaratë për shtyp vdekjen e një të burgosuri që i përkiste Xhihadit Islamik Palestinez, pasi ai “u gjet pa ndjenja në qelinë e tij” dhe u dërgua në një spital.

Xhihadi Islamik Palestinez dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinez konfirmuan për AFP vdekjen e Hader Adnanit në moshën 45-vjeçare. Një shoqatë e të burgosurve palestinezë në Rripin e Gazës u ankua për agjencinë e lajmeve Reuters se ai u “ekzekutua me gjakftohtësi” nga autoritetet izraelite.

Izraeli “do të paguajë çmimin e këtij krimi”, deklaroi Xhihadi Islamik Palestinez, një organizatë e klasifikuar si “terroriste” nga Izraeli, SHBA dhe BE.

“Heroi i lirë Hader Adnan u martirizua për një krim të kryer nga armiku para gjithë botës, i cili miraton, mbron dhe mbulon padrejtësinë dhe terrorizmin”, shtoi grupi islamik palestinez.

“Rezistenca do të vazhdojë me forcë dhe vendosmëri,” shtoi ai.

Sipas autoriteteve izraelite, Hader Adnan refuzoi “të dorëzonte ekzaminimet mjekësore dhe të merrte trajtim mjekësor”. Sipas Kantoura Fares , presidente e sindikatës së të burgosurve palestinezë, ky është i burgosuri i parë që vdes për shkak të një greve urie, e cila ka nisur me 5 shkurt.

Hader Adnan, nga pjesa veriore e Bregut Perëndimor të pushtuar, ishte burgosur vazhdimisht nga autoritetet izraelite, të paktën 12 herë , për rreth tetë vjet, shumicën e asaj kohe nën masën e “arrestit administrativ” dhe kishte vazhduar në mënyrë të përsëritur grevat e urisë. Rasti i tij u bë një simbol për palestinezët.