Humbja në bashkinë Memaliaj, reagon për herë të parë PS

Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ka komentuar humbjen e bashkisë së vetme në këtë qark, atë të Memaliajt, ku fitoi kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Albert Malaj.

Kumbaro tha se bashkia Memaliaj ashtu si i gjithë qarku i Gjirokastrës është një bastion i majtë, ndaj në lidhje me rezultatin do të bëhet një analizë e plotë e asaj që ka ndodhur.

Kumbaro sqaroi se pritet të zbardhet e plotë dhe vota për Këshillin Bashkiak për të pasur më pas një analizë më të thelluar.

“Të presim rezultatin final për të lexuar vullnetin. Bashkia Memaliaj do të jetë objekt i një analize shumë të veçantë. Me një vëmendje personale dhe të skuadrës drejtuese të Partisë Socialiste do ta lexojmë çdo votë të hedhur më kutitë e Bashkisë Memaliaj lidhur me kandidatin për të kuptuar se cili ishte vullneti dhe cili është mesazhi. Për të mbërritur në një konkluzion më të plotë do të jetë me vlerë të presim dhe leximin e votë që i jepet Partisë Socialiste. Bashkia e Memaliaj ka qenë një bashki e majtë historikisht”, tha Kumbaro.