Përlot me rrëfimin drejtoresha e shkollës në Gramsh ku u vra nxënësi 15- vjeçar: Ishte fëmijë …

Një ngjarje e rëndë u regjistrua mesditën e sotme në Gramsh ku 15-vjeçari Fatjon Bici humbi jetën nga goditjet me thikë pas konfliktit me disa bashkëmoshatarë.

Konflikti ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini, ku 5 adoleshentë u përfshinë në një sherr që përfundoi në përdorimin e thikës.

Drejtoresha e shkollë Ardiana Hasa tha në një intervistë për Euronews Albania se është shumë e prekur nga ngjarja dhe se adoleshenti i përfshirë në konflikt nuk ishte nxënës problematik.

Me lot në sy ajo tregoi se si e kishin njoftuar për ngjarjen dhe dhimbjen e jashtëzakonshme që kishte përjetuar për një fëmijë si Fatjoni, që siç tha ishte shembullor.

“Fatjoni ka mbaruar orën e gjashtë të mësimit, ka pasur fizkulturë, ka dalë nga palestra bashkë me mësuesin e fizkulturës, ka takuar roje dhe e ka pyetur për motrën e tij nëse ka ikur apo jo në shtëpi.

Pas 20 minutash më merr dikush në telefon dhe më thotë të është vrarë një nxënëse. Nuk di të them çfarë përjetova, shkova menjëherë në spital dhe më thotë mjeku që Fatjoni kishte mbaruar. Dhimbja ishte e jashtëzakonshme. Po më mbyt dhimbja, na kanë marrë jetën e një fëmije shembullor. Nuk kam qenë kurrë në dijeni që mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë konflikt. Para një jave prindërit e tij kërkuan të tërhiqnin letrat pasi do iknin në Greqi, dhe jam ndjerë e keqardhur që një djalë si Fatjoni do largohej. Jam e tronditur. Për 9 vite në atë shkollë, asnjëherë nuk ka qenë fëmijë problematik”, tregoi ajo./Euronewsalbania