Ekzekutimi i 48-vjeçarit në Kavajë, a u rrezikua jeta e babait të Arian Gosës? Gazetari sjell detajet nga vendi i ngjarjes (Video)

Arian Gosa po pinte kafe me të atin, në këtë lokal në Kavajës, kur një plumb në kokë i mori jetën. Ishte ende ditë dhe autori ishte në këmbë. Ai qëlloi vetëm një herë me pistoletë, duke e lënë të vrarë në vend 48-vjeçarin. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e kësaj të diele dhe pas saj dyshohet se fshihet hakmarrja (Lexo më shumë).

Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, nga vendi ku ndodhi vrasja, përcolli më shumë detaje. Siç shihet edhe në foton e publikuar vetëm pak kohë pas vrasjes, viktima Arian Gosa ndodhet i pajetë në karrigen e lokalit, ndërsa në këmbë qëndron babai i tij në moshë, që përpiqet t’i vijë në ndihmë.

I pyetur nëse jeta e tij ishte vënë në ndonjë moment në rrezik, gazetari Bajraktaraj e mohoi diçka të tillë, duke iu referuar dëshmive në vendin e ngjarjes.

Në të gjithë zonën ndodhen forca të shumta policie, ndërsa skena e krimit tashmë po analizohet me qëllim identifikimin e autorit. Hetuesit kanë marrë në dorëzim edhe kamerat e sigurisë. Identiteti i autorit të këtij ekzekutimi mafioz nuk dihet ende, megjithatë ai erdhi dhe u largua në këmbë.

Gazetari Bajraktaraj raporton po ashtu se lokali ku ndodhi vrasja nuk është shumë larg shtëpisë së viktimës.

Arian Gosa është vëllai i Armand Gosës alias Edmond Gosa. Ky i fundit mbeti i vrarë pas një sherri të ndodhur në një lokal, po në Kavajë më 29 Mars të këtij viti. Një konflikt banal mes 43-vjeçarit dhe bashkëmoshatarit të tij, Sali Rexha alias Altin Rexha, degjeneroi atë pasdite duke bërë që të dy të vrisnin njëri-tjetrin. Njëri goditi me thikë e tjetri me armë zjarri. Armand Gosa i mori jetën Altin Rexhës duke e goditur të paktën 10 herë me thikë. Ndërsa Rexha iu kundërpërgjigj duke e qëlluar me pistoletë. Në momentin e ngjarjes, Altin Rexha ishte me djalin e tij të mitur përdore.

Nga ana tjetër, të dy vëllezërit Gosa kanë qenë të dënuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Në atë kohë, ata masakruan me thikë 41-vjeçarin Gentjan Gjuzi. Ngjarja ndodhi po në një lokal në qytetin e Kavajës. Sherri në atë kohë lindi për një shikim dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi./tvklan.al