Foto: Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së Arian Gosës, policia jep 10 mijë euro për këdo që jep informacion

Habib Rexha, 31-vjeç, dyshohet të jetë autori i vrasjes së Arian Gosës, pasditen e kësaj të diele në Kavajë. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, i cili sjell edhe foton e autorit të dyshuar.

Ai mësohet se është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që u vra më 29 Mars të këtij viti pas sherrit me Armand Gosën. Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë edhe ky i fundit, ndërsa 48-vjeçari i ekzekutuar këtë të diel ishte vëllai i tij.

Zyrtarisht policia, në njoftimin e saj për mediat tha më herët se shkak për vrasjen e sotme dyshohet se ishte pikërisht motivi i hakmarrjes. Aktualisht Habib Rexha ndodhet në arrati dhe policia po punon për kapjen e tij.

Policia informacion zyrtar

Kavajë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në një lokal, në Kavajë. Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit Arian Gosa.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Arian Gosa, i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi. /tvklan.al