Statistikat e Leo Messit, askush nuk mund të krahasohet me “përbindëshin” e futbollit

35 vjeçari Lionel Mesi e kishte një rrugëtim të vështirë të karrierës me probleme fizike kur ishte fëmijë, të cilat lehtë mund ta linin pa u marrë me futboll. Por, Mesi e mblodhi forcën dhe eci përpara me punë, derisa talentin e kishte tashmë në xhep. Në gati 20 vjet karrierë, argjentinasi ka fituar gjithçka të mundshme në karrierë.

Ndërkohë, ai ka vendosur edhe rekorde të pabesueshme dhe të paimagjinueshme. T’i përmendim ato një nga një. Siç dihet, pjesën më të madhe të karrierës, Mesi e kaloi në Barcelonë, aty ku u bë idhull për tifozët. Pa diskutim, në “Camp Nou” ai i vendosi disa rekorde, të cilat me gjasë janë të paarritshme. Mesi ka shënuar qindra gola në karrierë, por viti 2012 ishte special për të. Në atë kohë 25 vjeçar, futbollisti nga Rosario e Argjentinës i kishte realizuar plot 91 gola brenda një viti kalendarik.

Imagjinojeni, 91 gola, një shifër që shumë futbollistë nuk arrijnë ta kapin gjatë krejt karrierës. Me këtë rast, Mesi e theu rekordin e legjendës gjermane, Gerd Muller me 85 gola brenda një viti kalendarik, të vendosur 40 vjet më herët. Po ashtu, në atë sezon, kampioni i botës e kishte regjistruar edhe një rekord të jashtëzakonshëm në kampionatin spanjoll.

Mesi i kishte shënuar plot 50 gola në 37 ndeshje të zhvilluara në sezonin 2011/12 në La Liga. Kjo shifër duket vërtetë e frikshme. Sulmuesi argjentinas e mban rekordin edhe për asiste. Leo i ka shërbyer bashkëlojtarët në shënimin e golave plot 192 herë në La Liga, një rekord absolut. Argjentinasi në fakt i ka shënuar 474 gola në La Liga, një tjetër rekord i hatashëm ky, që është vështirë të imagjinohet se mund të thyhet. Mesi e ka fituar më së shumti në histori trofeun e Këpucës së Artë, si golashënuesi më i mirë në Evropë, plot 7 herë, 3 më shumë se rivali i tij Ronaldo.

Mesi ka fituar 8 herë “Pichichi”, si kryegoleador i La Ligës spanjolle. Mesi ka shënuar 21 gola për përfaqësuesen e tij, Argjentinën, nëpër Botërorë. E themi këtë pasi argjentinasi është favorit për ta fituar sivjet “Topin e Artë” numër 8 në karrierë. Në total, Mesi i ka zhvilluar 1028 ndeshje në karrierë e ka shënuar 807 gola. Ai i ka realizuar 672 gola me Barcelonën, 32 me PSG dhe 103 me Kombëtaren e Argjentinës. Pasi i arriti të gjitha, Mesi vendosi të luajë në një ligë të nivelit më të ulët, në SHBA me Inter Miami, ku mund të luajë i qetë, pa presion dhe pa i dhënë shumë zor, në perëndim të një karriere përrallore. Sportdashësit anekënd botës janë me fat që e kanë shijuar epokën e fenomenit të futbollit, Leo Mesi.