Lufta civile/ Sa trupa ka Wagner në krahasim me ushtrinë ruse?

Rusia po përballet me një luftë civile, pasi grupi mercenar Wagner nisi një kryengritje ndaj presidentit Vladimir Putin.

Grupi Wagner pretendon se kontrollon të gjitha objektet ushtarake në qytetin jugor Rostov-on-Don, ashtu si edhe zonat ushtarake në Voronezh, qytet më në veri të Rusisë, teksa po përparon drejt Moskës, ku është ngritur alarmi.

Por a mund të fitojë Wagner në një përballje me ushtrinë ruse?

Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë ruse në Ukrainë. Grupi vlerësohet të ketë rreth 25,000 ushtarë. Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se grupi Wagner komandonte deri në 50,000 trupa, megjithatë rreth 20,000 prej tyre thuhet se janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë.

Nga ana tjetër ushtria ruse ka rreth 800,000 ushtarë aktivë. Forca dikur vlerësohej në më shumë se një milion ushtarë, megjithatë mendohet të ketë pësuar të paktën 220,000 viktima gjatë luftës në Ukrainë.

Rusia mendohet të ketë rezervë edhe 250,000 anëtarë të tjerë të shërbimit.