Dhunoi barbarisht vëllezërit Maja, policia del me thirrjen urgjente ndaj kushëririt të deputetit socialist (Emri)

Policia e Shtetit bën me dije se ka shpallur në kërkim shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç, si të përfshirë në dhunën e ushtruar ndaj shtetasve Bilbil Maja dhe Jashar Maja në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë.

Përparim Rraja është vëllai i deputetit Ramazan Rraja, pronari i një guroreje në Borizanë, ndaj të cilës dy pjesëtarët e fisit Maja ishin ankuar se shpërthimet në kantier, po u shkatërronin shtëpinë.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ndaloi të premten shtetasit Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, pjesëtarë dhe miq të fisit Rraja për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjatë operacionit të zhvilluar u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve të shpallur në kërkim Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja, dhe të perosnave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Gjithashtu gjatë mëngjesit të sotëm u bë shoqërimi në ambientet e Policisë i 4 shtetasve, L. Rr., D. Rr., H. Rr., dhe A. Rr., lidhje të afërta fisnore dhe shoqërore të shtetasve të shpallur në kërkim dhe po vijojnë veprimet hetimore të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e pozitës së tyre në raport me ngjarjen.

Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta, 27 vjeç dhe Përparim Rraja, 48 vjeç.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme u shpallën në kërkim dhe 4 shtetas të tjerë Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja, dhe Rexhep Rraja.

Policia i ka bërë thirrje vëllait dhe djalit të deputetit Rrahman Rraja që të dorëzohen.

“Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale”, raportohet në njoftimin e policisë.