Pasi ndërprenë fondet për Portin e Durrësit dhe bujqësinë shqiptare, Brukseli “dush të ftohtë” qeverisë, ja çfarë i kërkon

Qeveria shqiptare mesa duket është futur nën rrethin e kuq nga Brukseli. Pasi ndërprenë fondet për Portin e Durrësit dhe për bujqësinë shqiptare, Brukseli i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të bëjë transparencë dhe të plotësojë kushtet e BE për të përfituar fondet. Ishte ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, ku dje nga takimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE), u shpreh e prerë duke i bërë “dush të ftohtë” mazhorancës se nëse Shqipëria do të marrë fondet nga Bashkimi Evropian, duhet të plotësojë disa kushte.

“Nuk ka drekë falas, e për rrjedhojë nuk ka fonde falas. Nëse Shqipëria do të marrë fondet nga BE, duhet të plotësojë kushtet. Megjithatë ne jemi në rrugën e duhur, por kemi ende shumë punë për të bërë. E rëndësishme është që ju nuk jeni vetëm. Ndonjëherë duket sikur do kaloni majin, Dajtin, por nuk jeni vetëm, keni njerëz përkrahë. BE e ka besimin që ju do ia dilni. Shqipëria i ka kapacitetet për ta bërë këtë”, u shpreh ambasadorja Hohmann. Goditja e Bashkimit Europian erdhi pasi Brukseli pezulloi fondet për bujqësinë nga programi i financimit IPARD II pas hetimeve të zyrës antikorrupsion të unionit, që ka ngritur dyshime mbi financime të projekteve fiktive dhe që nuk ekzistojnë. Në përgjigjen e kthyer, KE thotë se pezullimi i financimit të projekteve është masë parandaluese deri në përfundim të hetimit të OLAF, zyra europiane antikorrupsion.

Masat e forta të Brukselit

Me ndërkombëtarët nuk bëhet shaka, pasi përveç fondeve të bujqësisë, Bashkimi Europian pak kohë më parë iu rikthye sërish projektit 2.1 miliard euro të transformimit të Portit të Durrës në një zonë rezidenciale dhe porti jahtesh. Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përsëritur të njëjtin qëndrimin të Brukselit ndaj marrëveshjes së firmosur nga qeveria shqiptare dhe biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar “Durrës Jachts and Marina” si në 27 janar 2023.

Diplomati madhor evropian iu përgjigj interesit të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, në vend të Zv/presidentes Ekzekutive për Komisionin Europian për Një Europë të Aftë për Epokën Digjitale dhe Komisioneres Europiane për Konkurrencën Margrethe Vestager. Varhelyi e konsideroi marrëveshjen e Portit të Durrësit si në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që Shqipëria ka firmosur në BE në vitin 2006, ç’ka përbën pengesë për procesin e integrimit të vendit tonë në Europën e Bashkuar.

Ky qëndrim i BE ndaj projektit luksoz të Portit të Durrësit, vjen pasi në fund të vitit të kaluar, Brukseli anuloi grantin 28 milionë euro për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 në terminalin perëndimor të portit më të madh në Shqipëri. Sipas Varhelyi, qeveria shqiptare nuk ka zbatuar parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të operatorëve në tenderin për projektin e Portit të Durrësit. Po ashtu, zyrtari i Brukselit nënvizoi faktin se kjo marrëveshje duhet të respektojë dispozitat e MSA në fushën e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore.

“Në komunikimin e tij me autoritetet shqiptare, Komisioni ka theksuar nevojën për të garantuar që projektet në bazë të marrëveshjes së lidhur në vitin 2020 ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me dispozitat e MSA, veçanërisht në fushat e prokurimit publik dhe ndihmës shtetërore. Të gjitha instrumentet ligjore dhe financiare të përdorura në fushën e prokurimeve publike dhe koncesioneve, përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, duhet të respektojnë parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit”, shkruhej në letrën e Varhelyi dërguar një grupi të deputetëve demokratëve.