“Ne marrim vendime dhe nuk ju pyesim fare”- Në kulmin e debatit për ligjin e studentëve të mjekësisë, publikohet videoja e ministres së Arsimit. Ja çfarë thotë ajo gjatë konsultimeve

Në kulimin e debatit për ligjin e studentëve të mjekësisë që i detyron ata të nënshkruajnë një kontratë për të mos u larguar nga Shqipëria pas përfundimit të studimeve, një video e ministres së Arsimit po qarkullon, e cila ka thënë se “në qoftë se thoni se e meritoni ne marrim vendime dhe nuk ju pyesim fare”.

Videoja është bërë gjatë konsultimeve që ministria pretendon se ka bërë me studentët pikërisht për këtë çështje.

Në video shihet ministrja e Arsimit me disa përfaqësues të tjerë, ndërsa përballë ka një grup studentësh.

Në momentin që ministrja ka deklaruar se “ne marrim vendim dhe nuk ju pyesim fare” kanë reaguar edhe studentët e pranishëm në këtë takim. Në video dëgjohet një prej studentëve që thotë “ju e keni praktikë që nuk pyesni”.

Kujtojmë që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka miratuar me 9 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, projekt/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, dhe tashmë pritet votimi i tij në parlament.

Pas konsultimit tre javorsh në komisionet parlamentare të Edukimit dhe të Ligjeve, pritet që në seancen e sotme, të fundit për këtë legjislaturë, të miratohet drafti për studentët e mjekësisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në 5 vite pas diplomimit.