Grabisnin vilat luksoze në bregdet, çmontohet banda e hajdutëve të rrezikshëm

Policia e Shtetit ka mundur ta zbardhë vjedhjen e 3 vilave në bregdet si dhe të çmontojë një rrjet grabitësish që kryenin vjedhje të banesave në gjithë territorin e vendit.

Në pranga kanë përfunduar 2 persona si dhe është shpallur në kërkim një i tretë.

Të tre shtetasit, rezultojnë me precedent të theksuar kriminal për vjedhje, brenda dhe jashtë vendit.

Ky grup, në vitin 2022, ka kryer dhe tre vjedhje në banesa, në Dhërmi, Borsh e Himarë, ku ka marrë shuma të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende me vlerë.

Gjithashtu, dyshohet se ky grup ka kryer dhe disa vjedhje të tjera në vila dhe në banesa, në zona bregdetare.

Para vjedhjeve, pjesëtarët e grupit kriminal shkatërronin kamerat e sigurisë, që të mos identifikoheshin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve.

Nga veprimet hetimore rezulton se ky grup, në të njëjtën periudhë të vitit 2022, ka kryer 3 vjedhje në banesash në fshatrat Dhërmi, Borsh dhe Himarë, ku ka marrë sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sendesh me vlerë, konkretisht:

Në datën 11.08.2022, kanë vjedhur në banesën e shtetasit V. B., në Himarë;
Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur sende dhe vlera monetare në një hotel në pronësi të shtetasit D. Sh., në fshatin Borsh;
Në datën 21.08.2022, kanë vjedhur vlera monetare dhe sende me vlerë, në vilën e shtetasit K. N., në një kompleks banimi në fshatin Dhërmi.
Personat e ndaluar:

S.K., 31 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë dhe me armë;
S.G., 22 vjeç, banues në Durrës, me precedent të mëparshëm për vjedhje.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Durrës, me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje me dhunë.