PËRGJIMET nxjerrin Gjokën, Bajrin e Martinajn në trafikun e drogës/ Biznesmeni del në falsifikimet…

Mes akuzave të rënda për vrasje dhe sigurim i kushteve për të kryer vrasjen, ndaj biznesmenit strategjik Pëllumb Gjoka, SPAK po kryhen hetime dhe për trafik droge nga vendet e Amerikës Latine në disa vende të Europës.

Mes të hetuarve janë dhe Ervis Martinaj, Behar Bajri dhe shumë personave të tjerë që autoritetet Franceze, kanë thyer kodet e komunikimit në “Sky”. Pëllumb Gjoka shfaqet me kodin PIN SkyECC “7142D9″ ndërsa vijojnë përdorues të tjerë me kodet” “MHSE7L”, “2Q4RSM”, “9E6STL” dhe “TIV9E3” etj.

Por ajo që është më e dhimbshme në këtë çështje për Pëllumb Gjokën, është se SPAK po kryhen hetime dhe për tjetërsimin e një prone në plazhin e Velipojës.

Për ironi të fatit kjo dosje me falsifikime është kallëzuar në SPAK nga dy kushërinj të Pëllumb Gjokës, Lule Zefi dhe djali i saj Donald Zefi.

Sipas “Ora News”, kallëzimi i tyre është depozituar në muajin Janar 2023, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Por tashmë ky kallëzim është bashkuar me dosjen e vrasjeve, duke formuar një procedim të vetëm me Nr.41.

Në materialin e dërguar, nga nenë dhe bir pretendojnë se janë trashëgimtarë të shtetases Drande Hotaj dhe se pasuritë e paluajtshme të Drande Hotaj, një sipërfaqe prej 39 ha në fshatin Pulaj komuna Velipojë, janë tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme nga Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me Ndue Prelë Hotaj, Lize Hotaj, Ardian Beci, Sonila Boga, Agim Ajeti, Vath Dashi etj.

Por mbi bazën e një informacioni të referuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, SPAK ka regjistruar në 13 mars 2023 procedimin penal nr.41 të vitit 2023, për veprat penale të “Vrasja me paramendim”. “Heqja e paligjshme e lirise”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”. “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Më konkretisht hetuesit referojnë se në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, agjencitë ligj zbatuese Evropiane, EUROPOL, kanë përcjellë informacione për disa shtetas shqiptarë përdorues të kodeve PIN SkyECC “MHSE7L”, “2Q4RSM”, “9E6STL”, “7142D9” dhe “TIV9E3”, të cilët dyshohen si të përfshirë në aktivitet kriminal në fushën e krimeve kundër jetës, trafikimit të lëndëve narkotike të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, falsifikimi i dokumenteve dhe shpërdorimi i detyrës nga funksionar publik, të cilët kanë koordinuar me njëri tjetrin nëpërmjet komunikimeve të enkriptuara në aplikacionin SkyECC.

Përdoruesit e këtyre PIN SkyECC janë disa shtetas shqiptarë që kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin në raste të ndryshme me qëllim kryerjen e e veprave penale, sigurimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kanabis, kokainë nga Shqipëria drejt vendeve tjera të Bashkimit Evropian si dhe nga Amerika e Jugut drejt porteve kryesore Evropiane.

Gjithashtu kanë komunikuar dhe ndërvepruar midis tyre lidhur me tjetërsimin e një sipërfaqe toke në bregdet duke falsifikuar dokumente shtetërore në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë.