I riu futet të grabis me armë dyqanin në Durrës, parandalohet tragjedia

Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit, pasi hyri i maskuar dhe i armatosur, gjatë natës, në një market në shërbim, me qëllim vjedhjen e parave në kasë.

Pas marrjes së njoftimit rreth orës 21:50 të mbrëmjes së djeshme shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.

Në ambientet e supermarketit ndodheshin dhe klientë të tjerë, ku përdorimi i armës nga ana e 20-vjeçarit mund të përfundonte në një tragjedi.

Ndërhyrja në kohë e efektivëve bëri të mundur neutralizimin dhe arrestimin e grabitësit të armatosur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

“Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë, në kuadër të operacionit policor “Alarmi”, u parandaluan ngjarje që mund të sillnin pasoja për jetën e shtetasve që ishin të pranishëm në këtë subjekt, si dhe u arrestua në flagrancë, brenda marketit, pa kryer ende vjedhjen, autori i këtij rasti, shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, me të cilën kanosi 20-vjeçari, për të kryer vjedhjen”, thuhet në njoftimin e policisë.