Basha sfidon Ramën: Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës të duket “mullar balte”, bëjmë vetting në politikë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sfiduar kryeministri Edi Rama për të bërë vettingun në politikë, pas reagimit të kreut të qeverisë për projektin e “Malit të Tiranës”.

Basha shkruan se “meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta dhe ky është “Veting në politikë”.

Referuar shkrimit të gjatë të Ramës në Facebook, Basha u shpreh se “sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës”.

“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë.

Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.

Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?!

Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike”, shkruan Basha.

Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të kreut të PD-së, i cili e ka konsideruar një mal korrupsioni projektin e kullës “Mali i Tiranës” prapa TOB.

“I’u turr projektit të kullës ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar”, shkruan kreu i qeverisë në një postim në Facebook.