Berisha: Rama mendoi se Albin Kurtit i erdhi fundi, si tentoi t’i organizonte funeralin politik

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar ditën e djeshme se kreu i qeverisë, Edi Rama duke i vendosur sanksione Kosovës mendoi se Albin Kurtit i erdhi fundi dhe të organizojë funeralin politik.

Por Berisha theksoi se Rama “mori atë që meritonte, mori turpin dhe shpërfilljen gjer në asgjësim.” Ai theksoi se “vera e nxori lakuriq” kryeministrin, duke shtuar se “në rrafshin rajonal ku ai u paraqit siç është, një gangster, një gangster i vërtetë që nuk respekton asnjë normë, asnjë parim.” “Vera e nxori lakuriq Edi Ramën. Ishte një verë në rrafshin rajonal ku ai u paraqit siç është, një gangster, një gangster i vërtetë që nuk respekton asnjë normë, asnjë parim.

Por kjo verë i preu biletën atij. Mjafton të rikujtoj këtu qëndrimet e tij ndaj Kosovës, antikombëtare, antishqiptare, por qëndrime që shkelin çdo kod në marrëdhëniet e fqinjësisë mes dy vendeve. U vërsul i pari me tërbim duke i vendosur Kosovës sanksione dhe mendoi se Albin Kurtit i erdhi fundi dhe të organizojë funeralin politik. Mori atë që meritonte, mori turpin dhe shpërfilljen gjer në asgjësim. Organizoi turin Ballkanik, turin e vetëposhtërimit, turin e merituar të vetëposhtërimit. U përpoq të zëvendësonte Lajçakun dhe Eskobar dhe të dilte tani ky si ndërmjetësues ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve.

Hartoi një draft me ekspert të shquar për problemin më nevralgjik që është çështja e asocasionit, por edhe drafti edhe përpjekja përfundoi në koshin e humorit, talljes dhe përçmimit që meritonte. Edi Rama është turpi i Shqipërisë, turpi i shqiptarëve. Çdo ditë që kalon është një mbulim turpi për ne. Është i vetmi kryeministër në rajon që nuk pranohet nga dy kryeministra të vendeve fqinj, që refuzohet në mënyrën më të merituar. Ai nuk ka më një minutë të qetë në shpirtin e tij, sepse është i zbërthyer tani totalisht, i lidhur këmbë e krye me krimin, drogën, vjedhjen”, u shpreh Berisha.