Berisha: Fatos Nanos i uroj shërim të shpejtë, Rama është Jagoja e tij, nuk lë moment fatkeqësie pa përdorur

Ish-kryeministri Sali Berisha përcolli dje një mesazh për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë një konfercne për mediat, Berisha komentoi reagimin e Edi Ramës ndaj Nanos, duke e krahasuar atë me Jagon, personazhin e Shekspirit.

Jagoja ishte një personazh intrigant te Otello i Shekspirit. Ai përshkruhet si një njeri i lig dhe shpirtzi, një djall në formë njeriu, ziliqar dhe xheloz. “Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër, i uroj Fatos Nanos, shërim të shpejtë dhe të plotë. Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij. Nuk dua të shkoj më tej, se po të shkoj më tej, do të dënoja me ashpërsinë më të madhe fasadën e Jagos, se nëse kishte një Jago, Edi Rama ishte Jago i Fatos Nanos, të themi të vërtetën. Të të qajë Jagoja, Zoti është i madh, nuk kam çfarë them tjetër.

Çfarë mirënjohje nga Rama për Nanon? Vetëm mirënjohje nuk ekziston për atë mbi tokë. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllime të veta. Kur përdor edhe të tjera, se nuk po hyj t’i numëroj. Se disa janë krime të mirëfillta në kodin e etikës medikale, etj, me radhë. Ai përbën një Jago dhe e ka të qartë çdo socialist i vërtetë shqiptar, që ka pasur integritetin të mbetet socialist dhe të shndërrohet në rilindës. Rilindësit janë sekt i veçantë”, deklaroi ai. Gjatë konferencës për shtyp, Berisha komentoi edhe situatën e krijuar në Himarë.

“T’i besosh Ramës, është si t’i besosh eskimezit në shkretëtirë apo rrethit katror. Jam person që jam marrë në mënyrë të përsëritur me Himarën dhe historinë e saj. Himariotët kanë një nga historitë më interesante. Ata janë një komunitet shumë i respektuar, i përbërë nga fshatra bilinguale dhe nuk mund të mohohet, bilinguale jo të themi sot e 100 vite, por edhe sot e 400 vite sipas studimeve. Unë jam i pasionuar pas historisë. Por, shumica e fshatrave nuk kanë folur një fjalë greqisht”, nënvizoi Berisha.