Vritet me armë zjarri një 48-vjeçari, dëshmitari zbardh detaje tronditëse

Një 48-vjeçar është vrarë me armë zjarri pasditen e djeshme në Prizren.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Arbana në Prizren, teksa viktima është identifikuar si Beqir Morina, 48 vjeç.

I dyshuari është identifikuar si Aziz Gashi. Sipas policisë, krimi ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave.

Për kapjen e të dyshuarit, njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme, mirëpo i dyshuari nuk është kapur ende.

“Prizren 03.09.2023-18:45. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raport.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një makinë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrau njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punonte në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.